top of page

Ein Gedanke, der nicht gefährlich ist, ist gar nicht wert, ein Gedanke zu sein

         Oscar Wilde (1854 - 1900)

Një mendim që nuk është i rrezikshëm, nuk ia vlen që të jetë mendim.

Oscar Wilde (1854 - 1900)

 

 

SELAJDIN GASHI

NJERIU I DYZUAR

Recension mbi librin „Schlaflos mit Kleopatra“, ISBN 978-3-940636-34-8, Paranus Verlag, 2015

„Schlaflos mit Kleopatra“ (I pagjumë me Kleopatrën) titullohet libri i autorit shqiptar Selajdin Gashi, vënë në qarkullim këtyre ditëve nga shtëpia botuese gjermane „Paranus“. Unë kam fatin e madh ta lexoj librin këtu në plazhin e Golemit, ku sikurse edhe në librin e Gashit rëra është e ngrohtë dhe deti i shqetësuar.

Në këtë libër bëhet fjalë për një çift që është duke kaluar pushimet në bregdet. Burri e di që ka në dorë një libër poetik, por befas hedh pyetjen se ç’është poezia. Në vijim kujtohet se vargje i është dashur të lexojë edhe në kohën studentore. Gruaja është duke lexuar diçka në heshtje, teksa burri orvatet të shijojë rrezitjen. Gruaja ngaherë e zhytur në lexim libri, ndërsa burri duke u munduar t’u ikë gjithsesi mendimeve, që herë e prijnë drejt një dialogu të brendshëm me të dashurën e herë e nxjerrin tek zanafilla e jetës, herë e shpien tek vendlindja e largët dhe herë tek dëshira e madhe për të mos menduar asgjë. Befas të menduarit ka peshën e ferrit. Këtu nuk vlen aspak përcaktimi: unë mendoj, pra jam.

Teksa autorët e tjerë orvaten të dëshmojnë që në faqen e parë mjeshtërinë  narrative, Gashi kalon befas dhe shpenguar nga njëri paragraf në tjetrin, ku shohim të ndehen copëra të ndryshme mendimesh pa afëri me njëra-tjetrën. Në dukje të parë kjo mënyrë trajtimi ia vështirëson disi përqëndrimin lexuesit klasik, ia zvetënon dëshirën për të lexuar më tej hipotezat që pranohen si të vërteta dhe realitetin që dyshohet. Por Selajdin Gashi, i cili ka studiuar filozofi, është i bindur edhe në ekzistencën e lexuesit të vëmendshëm e durimshumë. Dhe pikërisht një lexues i tillë vë re se autori është i vetëdishëm në „katrahurën“ stilistike të kapitullit hyrës, ku si brenda një vegimi të butë shihet të ravijëzohet gjithnjë e më ashpër njeriu i dyzuar. Dhe pikërisht dyzimi i njeriut është edhe lajtmotivi i këtij libri, i cili me nisjen e kapitullit të dytë e gjer tek i fundit të mban mbërthyer me zhdërvjelltësinë  rrëfyese të ngjarjeve, ku rrafshohet çdo kufi ndarës midis realitetit dhe fantazisë.

Dyshimi momental ndaj vetes dhe të tjerëve përqark frymon që në krye. Kur një ndjesi e tillë është e dozuar, pra nën kontroll, ka vlerat e përkujdesjes, të asaj përkujdesjeje që na bën të kontrollojmë edhe njëherë tjetër aftësitë dhe mundësitë tona drejt arritjes së qëllimit. Por një dyshim i vazhdueshëm merr dikur përmasat e frikës, e cila tashmë nuk frymon për të na mbajtur larg ndonjë gabimi kapital, por vetëm e vetëm për të na e hequr edhe këmishën e shqyer të besimit mjeran ndaj vetes. Këtij çasti të tillë njeriu ndihet më lakuriq se asnjëherë, ndihet më i boshuar se kurrë në pagjumësinë e tij, ku relacionet ndaj gjallimit vagëllohen e vagëllohen. Në mënyrë mjeshtërore shpalosen të gjalla para syve tanë tablo irreale të realitetit.

Referuar titullit dhe ilustrimit të ballinës nuk është gabim të hamendohet se kemi të bëjmë me një histori apo aventurë dashurie. Por le ta themi hapur: libri ka gjithsesi më shumë  

peshë se një hamendim i tillë, për më tepër se tematika e veshur me një tis filozofie është një lëndinë pothuajse e pashkelur në letërsinë shqipe. Dyzimi, një tematikë thuajse e parrahur, e që mua megjithatë më duket çuditërisht e njohur, çuditërisht e përjetuar. Dhe është vërtet kështu. Në qershor të po këtij viti isha ftuar nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Gjermani, ftesë që e pranova falenderueshëm. Teksa drejtoja makinën në udhëtimin drejt qytetit Wuppertal, më dukej sikur po fluturoja, një ndjenjë kjo, krejt e panjohur për mua. Edhe pse ishte shumë ngrohtë, unë dridhesha i tëri. Ia thashë gruas këtë. Ajo kishte mirëkuptim për gjendjen time shpirtërore të quajtur gazmim, ngaqë shpejt do të takohesha me motrat dhe vëllezërit e penës shqipe në mërgim. Por në mbërritjen e atjeshme gjithçka u tjetërsua në kahun e pakuptimësisë: fjala ime ngaherë vitale qe hutuar befas aq shumë dhe u platit tek heshtja, gjatë ndonjë autogrami dora e dridhëruar nuk qe më e zonja ta konvertonte mendimin në fjali, gjatë të folurit mendimi nuk qe më në gjendje të orientohej në hiçësinë çastore të vetes. Në këtë gjendje u njoha me Pal Sokolin, malli poetik i të cilit ka rrenjë atdheu, me Sevëme Fetiqin, vargu i së cilës të prin lëndinave të brishtësisë, me Martin Çunin, harta poetike e të cilit si e dërguar nga koha e Rilindjes, me Sadik Krasniqin, hermetizmi dhe befasia poetike e të cilit ngaherë në shtrat filozofie, me Hasan Qyqallën, entuziastin në dejet e ëndrrës për Kosovën e pavarur, dhe me shumë e shumë të tjerë, pa harruar Selajdin Gashin, që referuar takimit letrar në Wuppertal, sot më duket se kam qenë një produkt i librit të tij „Schlaflos mit Kleopatra“, asaj kohe ende të pabotuar. Se në librin e tij Gashi hedh edhe pyetjen madhore mbi qenësinë tonë: jemi këta që jemi, apo ata që befas i mungojmë vetes?

Rrëfimi realizohet në vetën e parë prej autorit. Kuptohet se në një preferencë të tillë monologu sundon pjesën më të madhe të librit, i cili në tematikën e Gashit nuk bie asnjëherë në duar monotonie. Sa i përket dialogut të paktë e që shfaqet ngaherë vital faqeve të librit, ai përjetohet si një diell i ardhur pas një rrebeshi të gjatë dëshpërimi, ardhur për të na bërë ta shohim më qartë veten dhe të tjerët rreth nesh. Për ta parë më ngrohtë realitetin me konture fantazie, me dëshirimin e kthimit tek vetja që s’është. Personazhet dialogues shfaqen enigmatikë, dhe, sa më shumë duket se profilohen, aq më befasues arrijnë tek lexuesi. Sidomos të paharruar mbeten personazhet në psikiatri, pra bashkëvuajtësit e autorit, të cilët me konçizitetin e tyre sa të thjeshtë aq edhe filozofik lartohen para nesh si perëndi të prekshme, aq njerëzorë dhe të dashur, saqë befas ke dëshirën e madhe të jesh si ata: i çmendur.  

Një libër që të mbush guxim në udhën drejt vetes.   

 

 

FERDINAND LAHOLLI

bottom of page